
Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare, Klevis Balliu, mori pjesë në Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku u diskutua mbi rëndësinë jetike të sigurisë kibernetike në nivel global dhe sfidat me të cilat përballen shtetet në epokën digjitale.
Gjatë forumit ndërkombëtar, Balliu ngriti shqetësimin për gjendjen e sigurisë kibernetike në Shqipëri, duke theksuar se ky sektor strategjik, sipas tij, po neglizhohet dhe po keqmenaxhohet nga qeveria. Ai deklaroi se siguria digjitale është një shtyllë themelore e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të shteteve, ndërsa mungesa e profesionalizmit, konfliktet e interesit dhe investimet minimale e bëjnë vendin të cenueshëm ndaj rreziqeve serioze.
Sipas Balliut, buxheti për sigurinë kibernetike në Shqipëri mbetet i pamjaftueshëm, në një kohë kur vendet e zhvilluara investojnë shuma të konsiderueshme për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe të të dhënave shtetërore. Ai bëri të ditur se gjatë konferencës kërkoi mbështetje konkrete nga partnerët ndërkombëtarë për forcimin e kapaciteteve institucionale në këtë fushë.
Deklarata
“Ishte një kënaqësi dhe nder të isha i ftuar në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u diskutua mbi rëndësinë jetike të sigurisë kibernetike në nivel global.
Në këtë forum ndërkombëtar u theksua qartë se siguria digjitale sot është një shtyllë themelore e sigurisë kombëtare dhe stabilitetit të shteteve.
Fatkeqësisht, në Shqipëri kjo fushë kaq e ndjeshme vijon të menaxhohet nga individë të lidhur me struktura kriminale, duke minuar besimin, profesionalizmin dhe sigurinë e institucioneve tona. Rastet e konfliktit të interesit dhe lidhjeve me persona të përfshirë në aktivitete kriminale janë alarmante. Po aq shqetësues është edhe fakti se buxheti për sigurinë kibernetike në vendin tonë mbetet qesharak, në një kohë kur e gjithë bota po investon miliarda për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale.
Gjatë konferencës pata mundësinë të ndaj shqetësimet e mia mbi rrezikun që i kanoset sigurisë kombëtare të Shqipërisë dhe të kërkoj mbështetje nga partnerë dhe personalitete ndërkombëtare për forcimin e këtij sektori jetik.
Siguria kibernetike nuk është luks, është domosdoshmëri për të ardhmen dhe sovranitetin e vendit tonë.”