Vendosni fjalën kyçe....

Reshjet shkaktojnë shembje dhe bllokim të rrugës në një fshat të Gjirokastrës



Reshjet intensive të ditëve të fundit kanë shkaktuar dëmtime serioze në rrugën që lidh fshatin Zhulat të Gjirokastrës, duke bllokuar plotësisht qarkullimin e automjeteve. Si pasojë e vërshimit të ujërave dhe rrëshqitjes së dherave, një pjesë e trasese u shemb, ndërsa masive shkëmbore dhe inerte përfunduan në rrugë.

Për të rikthyer lëvizjen në këtë zonë, në terren ndërhynë Forcat e Xhenjos, të cilat realizuan një shpërthim të kontrolluar me eksploziv në segmentin e dëmtuar. Operacioni u krye me masa sigurie, me qëllim largimin e masivit shkëmbor dhe zgjerimin e trupit të rrugës.

Ndërhyrja synon stabilizimin e segmentit problematik dhe rikthimin sa më të shpejtë të aksesit për banorët e Zhulatit, të cilët prej disa ditësh po përballen me vështirësi në qarkullim. Autoritetet bëjnë me dije se puna do të vijojë deri në normalizimin e plotë të situatës.