Vendosni fjalën kyçe....

Redi Muçi nga protesta: Qeveria po grabit pronat dhe ëndrrat e shqiptarëve



Deputeti i Lëvizjes “Bashkë”, Redi Muçi, nga protesta e zhvilluar përpara Kuvendit nga banorët e Rrjollit dhe qytetarët që preken nga projekti TID në Durrës, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë “Rama”.

Në fjalën e tij, Muçi deklaroi se qeveria po tenton t’u grabisë pronat qytetarëve dhe se, sipas tij, synimi është shpopullimi i vendit.

“U shkatërruan uzinat, nisi korrupsioni. Ekonominë e shqiptarëve e kapën oligarkët, dhe ata u detyruan që të iknin. Ndërkohë sot shqiptarët nuk duan të ikin. Po grabiten pronat, po iu grabiten ëndrrat shqiptarëve. Me banorët e Rrjollit, të jugut, të Zvërnecit së shpejti. Po tallen me pensionistët. Ato janë gojë që po ushqehen me copë buke. Duhet të protestojmë për minatorët, të cilët meritojnë që të miratohej statusi. Këta nuk duan shqiptarët, por vetëm oligarkët. Kjo është një dhunë që as në kohën e pushtuesve s’e kemi parë. Ndaj pushtetarët e sotëm do t’i trajtojmë si pushtuesit dikur. Ju lumshin duart banorëve të Rrjollit që kacafyteni me policinë, dhe pensionistë që protestojnë. Të qëndrojmë të bashkuar dhe të fitojmë atë që na takon dhe s’e kemi marrë në këto 35 vite”, u shpreh ai.

Protesta e banorëve vijon me kërkesën për mbrojtjen e pronave dhe ndalimin e projekteve që, sipas tyre, cenojnë të drejtat e ligjshme të komunitetit.