Vendosni fjalën kyçe....

Begaj uron Kurtin për Qeverinë e re:Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore



Kuvendi i Kosovës votoi mbrëmjen e djeshme formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Albin Kurti, duke shënuar nisjen e mandatit të tretë qeverisës, i njohur si “Kurti 3”.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka uruar krijimin e qeverisë së re dhe kryeministrin Kurti përmes një mesazhi publik.

“Urime Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit z. Albin Kurti!

I uroj suksese në mandatin e ri, në drejtimin e Qeverisë drejt progresit, zhvillimit dhe begatisë së popullit të Kosovës.

Shpreh bindjen se përkushtimi dhe bashkëpunimi në dobi të shtetit dhe qytetarëve do të udhëheqin të gjithë klasën politike të Kosovës në përballimin e sfidave që janë përpara.

Ju sigurojmë për vijimin e mbështetjes vëllazërore për Qeverinë tuaj dhe bashkëkombasit tanë”, shkroi kreu i shtetit.

Me 66 vota pro, 49 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi kabinetin qeverisës të udhëhequr nga Kurti, i cili do të përbëhet nga 19 ministri.

Ky është mandati i tretë i Kurtit në krye të ekzekutivit, ndërsa Kosova ka kaluar rreth një vit pa qeveri funksionale për shkak të bllokadave politike.