Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: U inskenua dhuna në protestë, nuk pati asnjë polic të lënduar



Kryedemokrati Sali Berisha bëri deklarata të forta në një konferencë për mediat, ku akuzoi qeverinë për përgatitjen e një skenari të paraplanifikuar gjatë protestës së opozitës.

Sipas tij, në protestë nuk pati asnjë efektiv policie të lënduar, ndërsa pretendoi se situata u inskenua për të krijuar perceptimin e dhunës. Berisha tha se policëve u hidhej gaz lotsjellës nga vetë strukturat dhe më pas futeshin në ambulanca për të simuluar asfiksimin.

Ai deklaroi gjithashtu se asnjë polic nuk u paraqit në spitalet e Tiranës për trajtim.

“Ervin Minerolli, Klevis Balliun e kanë keqtrajtuar dje, janë përpjekur t’i asfiksojnë me gaz në fytyrë, kanë dërguar Belind Këlliçin se ka nxitur dhunë, kur ai në kohën kur po mbahej protesta po drekon në Michigan. Kuptoni çfarë mashtruesish të neveritshëm janë. Gjithçka e kishin të parapërgatitur.

Faqe e zezë, loja me barela dhe policë. Siç e patë, i hidhnin gaz policëve dhe i fusnin në ambulancë si të asfiksuar.

Mbrëmë kam shkuar vetë te Trauma. Këta njoftonin se 7 policë janë te Trauma, asnjë i vetëm nuk ishte atje. Personeli mjekësor më njoftoi se kishin shkuar 5 policë pa asnjë problem, as nuk ishin regjistruar, madje ishin kthyer direkt. Gjithçka ishte skenar. Nuk kishin asnjë të gërvishtur. I dërguan në spital që të plotësonin skenarin”, tha Berisha.

Kreu i PD-së këmbënguli se, sipas tij, gjithçka ishte e organizuar paraprakisht për të justifikuar ndërhyrjen e policisë dhe për të dëmtuar imazhin e protestës së opozitës.