
Policia ka arrestuar një shtetas 39-vjeçar nga Kosova, pasi tentoi të kalonte kufirin me municion luftarak dhe katër armë të ftohta të fshehura në automjet.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në automjetin që ai drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan dy karikatorë me fishekë, dy thika, një sëpatë dhe një shkop metalik, i ngjashëm me atë të Policisë.
Të gjitha sendet e paligjshme u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.