
Deputeti i PD-së Agron Gjekmarkaj deklaroi se sistemi i ndërtuar nga “Rilindja” dhe Edi Rama ka shteruar çdo kapacitet politik dhe nuk ka më asgjë për t’u ofruar qytetarëve. Ai theksoi se mazhoranca nuk ka më asnjë alibi, pasi ka cenuar votën e lirë dhe ka mbijetuar politikisht duke e kthyer shtetin në një instrument të pushtetit personal.
Sipas Gjekmarkajt, një qeveri mund të qëndrojë në pushtet për katër mandate vetëm nëse prodhon “mrekulli” për qytetarët, ndërsa në realitet, siç u shpreh ai, shteti është mbytur nga babëzia. Projekti “Shqipëria 2030”, shtoi ai, nuk është gjë tjetër veçse një slogan bosh, i mbuluar me fjalë të bukura dhe i shoqëruar me shantazh publik.
Ai akuzoi pushtetin aktual se është i gatshëm të sakrifikojë edhe perspektivën evropiane të vendit vetëm për të shpëtuar veten, duke marrë peng institucionet, drejtësinë dhe Kuvendin. Sipas tij, veprimet e fundit tregojnë se qeveria është e gatshme të përdorë çdo mjet për vetëmbrojtje politike.
Gjekmarkaj u ndal edhe te zhvillimet e fundit, duke thënë se një ditë më parë kryeministri Edi Rama “hoqi maskën e fundit” për të mbrojtur vartësen e tij, Belinda Balluku. Në këtë situatë, ai theksoi se alternativa që ofron pushteti është depersonalizimi i shoqërisë, mosreagimi dhe mpirja e ndjeshmërisë qytetare.
“Në momentin që drejtësia i nënshtrohet pushtetit, demokracia nis të vdesë ngadalë”, u shpreh Gjekmarkaj, duke theksuar se angazhimi i opozitës dhe protestuesve është mbrojtja e shtetit ligjor dhe e parimeve demokratike.