
Sot në orën 10:00, Gjykata Kushtetuese zhvillon seancë për shqyrtimin e ndryshimeve të njëanshme të Rregullores së Kuvendit, pas kërkesës së depozituar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
PD do të përfaqësohet në seancë nga kryetari i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe këshilltari ligjor Marash Logu. Sipas Partisë Demokratike, vendimi për ndryshimin e Rregullores cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, duke përbërë, sipas saj, një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të pushtetit ekzekutiv në kompetencat e pushtetit legjislativ.
Demokratët argumentojnë se Kuvendi ka të drejtën ekskluzive për vetërregullimin e organizimit dhe funksionimit të tij dhe se ndryshimet e miratuara përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, PD kërkon shfuqizimin e vendimit nr. 57, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit”, si të papajtueshëm me Kushtetutën, si dhe pezullimin e zbatimit të këtij vendimi deri në dhënien e një vendimi përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.