
Banorët e fshatit Imshtë në Lushnjë janë paraqitur në Komisariatin e Policisë për të dhënë deklarata, pas kundërshtimeve ndaj një pretenduesi për tokë të blerë brenda zonës së argjinaturës.
Sipas burimeve, ndërhyrja e policisë ka ardhur pas reagimit të banorëve, të cilët kanë kundërshtuar tjetërsimin e tokave që i punojnë prej vitesh. Ata theksojnë se ligji nuk lejon kalimin në pronësi private të tokave që ndodhen brenda argjinaturës dhe se këto sipërfaqe janë shfrytëzuar prej dekadash nga komuniteti vendas.
Gjatë ditës së sotme, disa banorë janë thirrur zyrtarisht për të dhënë deklarata, ndërsa të tjerë janë paraqitur vullnetarisht në komisariat për të mbështetur njëri-tjetrin, edhe pse nuk kanë pasur fletëthirrje.
Situata në zonë paraqitet e qetë, ndërsa banorët shprehen të vendosur për të mbrojtur tokat që punojnë. Autoritetet pritet të sqarojnë ligjërisht çështjen e pronësisë së sipërfaqeve brenda argjinaturës.