Vendosni fjalën kyçe....

Të shpallur në kërkim për plagosje dhe trafik lëndësh narkotike, arrestohen 4 persona në Tiranë



Strukturat e Policisë së Tiranës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Catch 4”, duke kapur dhe arrestuar katër shtetas të shpallur në kërkim, të dënuar ose të akuzuar për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit zyrtar të DVP Tiranë, operacioni u zhvillua pas kontrolleve intensive në terren dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Në kuadër të operacionit, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasin G. I., 30 vjeç, ndaj të cilit Prokuroria kishte lëshuar urdhër ndalimi për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Sipas Policisë, më 1 dhjetor 2025, në rrugën “Irfan Tomini”, ai ka plagosur me mjet prerës shtetasin M. A., ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestrua lëndë narkotike cannabis sativa.

Po nga Komisariati Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, u arrestua edhe shtetasi R. R., 30 vjeç, i dënuar me 3 vite e 4 muaj burg për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Sipas autoriteteve, atij i kishin mbetur për të vuajtur edhe 1 vit, 5 muaj e 19 ditë burgim.

Ndërkohë, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin E. M., 19 vjeç, pasi Gjykata e Durrësit kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Vjedhja”. I riu iu dorëzua DVP Durrës për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjithashtu, Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin A. D., 22 vjeç, në zbatim të vendimit të Gjykatës për veprat penale “Përndjekja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Materialet procedurale për të katër rastet janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.