Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet 27-vjeçari nga Kosova për trafik armësh, sekustrohen 12 Glock-e në Tiranë



Një tjetër rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë është goditur nga Policia e Tiranës. Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë, ndërsa janë sekuestruar 12 armë zjarri pistoleta të tipit “Glock” me municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonën e Freskut, në kryeqytet.

Në pranga ka rënë shtetasi Dugagjin Berisha, 27 vjeç, banues në Kosovë. Ai u arrestua nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Barriera”, pas disa javësh hetime të kryera me metoda proaktive dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Berisha u lokalizua në dalje të Unazës së Madhe, pranë mbikalimit të Tufinës, teksa udhëtonte me automjetin e tij tip “Volkswagen”. Gjatë kontrollit të mjetit, konkretisht nën kofano, u gjetën dhe u sekuestruan 10 pistoleta Glock me municion luftarak. Në vijim të hetimeve, në kuadër të të njëjtit procedim penal, u sekuestruan edhe dy pistoleta të tjera të të njëjtit tip, duke e çuar totalin në 12 armë zjarri.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se armët do të shiteshin në zonën e Freskut, në Tiranë. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikimin e armëve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.