
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 75.8 kilogramë mish derri në tregun e Milotit, pas konstatimit të parregullsive serioze që rrezikonin shëndetin e konsumatorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, sasia e mishit ishte pa vulë identifikimi, pa faturë tatimore dhe po tregtohej në kushte të papërshtatshme higjieno-sanitare. Për shkak të rrezikut për konsum, mishi i konfiskuar u asgjësua nga inspektorët e AKU-së, ndërsa ndaj tregtarit u vendos masë administrative.
AKU thekson se mbetet në gatishmëri të plotë për garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, duke kërkuar gjithashtu bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet ligjzbatuese për intensifikimin e kontrolleve në rastet e evidentimit të shkeljeve.
Autoriteti u bën thirrje qytetarëve të blejnë produkte ushqimore vetëm nga subjekte të licencuara dhe të autorizuara, si dhe të denoncojnë çdo rast të dyshimtë.
Ky aksion vjen vetëm pak ditë pas një tjetër ndërhyrjeje të AKU-së, ku u bllokua një sasi e madhe qumështi për bebe, e konsideruar e rrezikshme për shëndetin e fëmijëve.