
Policia italiane ka deklaruar të shtunën se dyshon për një akt të qëllimshëm zjarrvënieje ndaj infrastrukturës hekurudhore pranë qytetit verior të Bolonjës, i cili ka shkaktuar ndërprerje të mëdha në qarkullimin e trenave, pikërisht në ditën e parë të plotë të Lojërave Olimpike Dimërore, përcjell Reuters.
Zjarri ka goditur një çelës shinat dhe ka dëmtuar kabllot elektrike që përdoren për matjen e shpejtësisë së trenave, duke sjellë vonesa deri në dy orë për shërbimet e trenave të shpejtësisë së lartë, Intercity dhe ato rajonale, në një nga nyjet hekurudhore më të ngarkuara të Italisë.
Sipas një zëdhënësi të policisë, zjarri ishte “me gjasë i qëllimshëm”, por deri tani nuk është marrë asnjë përgjegjësi për aktin. Në vendngjarje ndodhen policia e transportit dhe forcat antiterroriste të Digos, të cilat kanë nisur hetimet.
Sulmi ka pasur në shënjestër linjën hekurudhore mes Bolonjës dhe Venecias, por ka shkaktuar gjithashtu probleme zinxhir edhe në linjat Bolonjë–Milano dhe në itineraret drejt bregdetit Adriatik. Milani është bashkëorganizator i Lojërave Olimpike Dimërore së bashku me Cortinën, e cila lidhet me Venecian përmes rrjetit hekurudhor.
Ngjarja rikujton incidentet e Lojërave Olimpike Verore të vitit 2024 në Paris, kur sabotatorë goditën rrjetin e trenave të shpejtësisë së lartë TGV në Francë, duke shkaktuar kaos në udhëtime pak para ceremonisë hapëse.
Ndërkohë, kompania shtetërore italiane e hekurudhave, Ferrovie dello Stato (FS), bëri të ditur se pavarësisht ndërprerjeve, trenat kanë vijuar të qarkullojnë.