Vendosni fjalën kyçe....

Zelenskyy: SHBA ka vendosur afat deri në qershor për një marrëveshje paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur Ukrainës dhe Rusisë një tjetër afat për arritjen e një marrëveshjeje paqeje, duke propozuar që lufta të përfundojë deri në muajin qershor. Ai u tha gazetarëve se të dyja palët janë ftuar në një raund të ri bisedimesh javën e ardhshme.

Zelenskyy tha se administrata e presidentit Donald Trump “me shumë gjasa do të ushtrojë presion” mbi Ukrainën dhe Rusinë që lufta të marrë fund deri në fillim të verës.

“Ata thonë se duan t’i mbyllin të gjitha deri në qershor,” u shpreh ai. “Do të bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund luftës dhe duan një kalendar të qartë të të gjitha ngjarjeve.”

Ai shtoi se, nëse afati i ri i qershorit nuk respektohet, Uashingtoni ka gjasa të rrisë presionin ndaj të dyja palëve për të arritur një marrëveshje, sipas The Guardian.

Para se Donald Trump të merrte detyrën, ai kishte premtuar se do ta “përfundonte luftën për 24 orë”. Më vonë, i dërguari i tij special për Ukrainën, Keith Kellogg, sugjeroi se të dyja palët mund të arrinin një marrëveshje brenda 100 ditëve nga inaugurimi i Trump.

Pasi kjo nuk ndodhi, presidenti amerikan vendosi një afat të ri për një marrëveshje në gusht të vitit të kaluar, i cili gjithashtu kaloi pa asnjë shenjë paqeje. Në dhjetor, Trump deklaroi se një draft-marrëveshje për t’i dhënë fund luftës ishte pothuajse “95% gati”.

Këtë javë u zhvilluan dy ditë bisedimesh paqeje të udhëhequra nga SHBA në Abu Dhabi, por ato nuk sollën një përparim të madh. Megjithatë, Kyrylo Budanov, kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, tha se negociatat trepalëshe kishin qenë “vërtet konstruktive”.

Zelenskyy deklaroi të shtunën se administrata Trump po propozon që raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe të mbahet në Shtetet e Bashkuara, me shumë gjasa në Miami, brenda një jave. “Ne e konfirmuam pjesëmarrjen tonë,” tha ai.

Ai la të kuptohej se afati i ri i qershorit për paqen mund të lidhet me fushatën për zgjedhjet afatmesme në SHBA. “Zgjedhjet [afatinmesme] janë padyshim më të rëndësishme për ta [amerikanët]. Le të mos jemi naivë,” u shpreh Zelenskyy.

Ai shtoi: “Nëse rusët janë vërtet të gatatshëm t’i japin fund luftës, atëherë është me të vërtetë e rëndësishme të vendoset një afat.”