
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka zhvilluar një takim në Uashington me zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Tregtisë, në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Gjatë takimit me Zëvendëssekretarin për Tregtinë Ndërkombëtare, William P. J. Kimmitt, dhe Zëvendëssekretarin për Industrinë dhe Sigurinë, Jeffrey I. Kessler, u diskutua për rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në sektorët e energjisë, infrastrukturës dhe projekteve me rëndësi strategjike.
Spiropali theksoi se Shqipëria mbetet një aleate e besueshme e SHBA-ve në kuadër të NATO-s dhe një vend i hapur për biznesin amerikan në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit ekonomik krahas atij të sigurisë.
Sipas Ministrisë së Jashtme, takimi konfirmoi angazhimin e të dyja palëve për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe për krijimin e mundësive konkrete për investime dhe zhvillim ekonomik.