Vendosni fjalën kyçe....

Ndihmonte emigrantë të kalonin nga Greqia në Shqipëri, në pranga 24-vjeçari sudanez



Si rezultat i hetimeve dhe punës operacionale për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme në kufi, strukturat e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin (DVKM) Korçë kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Itinerari 2”.

Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. J., 24 vjeç, banues në Darfur, Sudan. Ai u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare në vendin e quajtur “Fusha e Parë”, mbi fshatin Drenovë, në qarkun e Korçës.

Sipas policisë, nga veprimet hetimore dhe informacionet e siguruara në rrugë operative dyshohet se 24-vjeçari ka ndihmuar, kundrejt pagesës, gjashtë emigrantë për të kaluar në mënyrë të paligjshme nga Greqia në territorin e Shqipërisë.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Po ashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve në DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” ndaj shtetasit O. C., 30 vjeç, banues në Elbasan, i cili dyshohet se ka kaluar ilegalisht në Greqi.

Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme ligjore.