
Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar përmbytje në një segment të shëtitores “Spile” në Himarë, duke sjellë probleme të konsiderueshme për banorët dhe zonën përreth. Ujërat që zbresin nga zona kodrinore janë përqendruar në kanalin kullues, i cili nuk ka arritur të përballojë sasinë e madhe të prurjeve.
Sipas banorëve, shiu ka rënë për një kohë të shkurtër, por me intensitet shumë të lartë, duke rritur ndjeshëm volumin e ujit. Si pasojë, kanalet kulluese janë mbingarkuar dhe uji ka dalë mbi shëtitore, duke mbuluar pothuajse tërësisht disa pjesë të saj, ndërsa në zona të caktuara ka depërtuar edhe në banesa.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e kanaleve dhe sistemimin e përrenjve, duke theksuar se çdo reshje e fortë shndërrohet në një kërcënim serioz për pronën dhe sigurinë e tyre. Ata shtojnë se mungesa e mirëmbajtjes dhe zhvillimi urban pa planifikim kanë përkeqësuar situatën ndër vite.
Pas pushimit të reshjeve, uji ka nisur gradualisht të tërhiqet, por ka lënë pas baltë, mbeturina dhe dëmtime të dukshme në banesa dhe hapësira publike. Në mungesë të një reagimi institucional, banorët janë detyruar të pastrojnë vetë ambientet, ndërsa presin masa konkrete për të shmangur përsëritjen e kësaj situate.
Ndërkohë, moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në zona të tjera të vendit. Në Qafën e Vishës, rënia e gurëve dhe dherave ka bllokuar njërin krah të rrugës, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e automjeteve, pa raportime për persona të lënduar. Situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Durrës, ku rrugët pranë stadiumit janë përmbytur, ndërsa në Kodrën e Currilave një rrëshqitje dheu ka penguar lëvizjen normale të mjeteve.