(Read this article in english)
Nga Habjon Hasani
Të enjten e 29 janarit 2026, kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama i shkoi një SMS në telefonin celular: “COELA doli me qëndrim zyrtar, më vjen keq”. Miku që e informonte e kishte paralajmëruar më herët atë se atje tej në Berlin, qeveria gjermane ishte tepër e shqetësuar mbi mbrojtjen arbitrare që Rama po i bënte Belinda Ballukut.
COELA është një grup pune i ministrave për Evropën të shteteve anëtare të BE-së. Ky grup shqyrton ecurinë e shteteve që synojnë anëtarësim, si Shqipëria.
Përfaqësimi në COELA është në nivel ministror, zakonisht ministrat për Evropën ose ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së.
Një burim i nivelit të lartë në BE, informoi Hashtag.al mbi atë çfarë ka ndodhur:
“E gjithë iniciativa për ndëshkimin e Shqipërisë në COELA është e nxitur nga qeveria gjermane, ata janë seriozisht të shqetësuar mbi mënyrën si Edi Rama po sulmon drejtësinë dhe po shkërmoq institucionet për mbrojtjen e ministres Balluku. Kjo iniciativë e gjermanëve është mbështetur fuqimisht nga qeveria e Austrisë, Belgjikës, Holandës etj, ndërsa qeveria italiane, franceze dhe greke mbajtën një qëndrim më neutral në takim. Por nuk ka asnjë rëndësi kjo për sa kohë që dhe një shtet si Bullgaria mund të vendosë veton kundër Shqipërisë, e për më tepër Gjermania është lokomotiva e BE-së.”, tha burimi.
Ndërsa i njëjti burim i nivelit të lartë më pas shtoi:
“Në mbledhjen e COELA është vendosur që nëse Rama do mbrojë imunitetin e Ballukut, BE-ja do dalë me vendimin e paprecedentë për të zhbërë gjithë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë. I bie që do jetë ndëshkim ekzemplar, i ashpër, i pari në llojin e vet. Kryeministri juaj e di shumë mirë këtë gjë siç unë po e them”, – saktësoi burimi.
Hashtag.al kontaktoi sot zyrtarisht dhe zyrën e Delegacionit të BE-së në Tiranë duke u drejtuar vetëm një pyetje: Si e komentonin ata qëndrimin e ministrave të Jashtëm të Gjermanisë, Austrisë dhe Holandës?
Hashtag.al kërkoi një reagim brenda ditës nga Delegacioni i BE-së, por kjo strukturë nuk e ka për traditë një kthim përgjigje në këto afate.
Balluku, Rama dhe 3 akrobatët

Në pranverën e vitit 2020, në kulmin e pandemisë, ministren e Energjisë Belinda Balluku e ftoi në një ishull në Greqi një shtetas izraelito-amerikan, ai quhet Ron Yeffet.
Atje në ishullin grek ishte ndërtuar një resort vilash luksoze, ndërsa Yeffet i tha Ballukut se disa prej vilave ishin të tijat, përfshirë dhe vilën ku do qëndronte ajo.
Balluku shkoi. Të nesërmen në mëngjes ndërsa ishte me një tas kafeje në dorë, në oborrin e vilës, Balluku e cila e flet rrjedhshëm gjuhën greke, nisi të bisedonte me kopshtarin grek. E ndër të tjera e pyeti atë dhe për mikun izraelito-amerikan që e kishte ftuar, e pyeti se sa vila posedonte miku i saj i ri.
Kopshtari grek i nguli sytë i habitur Ballukut dhe i tha se zoti Yeffet nuk posedon asnjë vilë dhe se i kishte marrë vilat me qira veç për atë fundjavë.
Balluku e kuptoi se ishte mashtruar dhe manipuluar, ajo vuri në dijeni dhe Edi Ramën duke i këmbëngulur se Yeffet ishte një mashtrues ordiner, por Rama i bëri të ditur asaj se Yeffetin do e mbante pranë. Zoti Yeffet është një ndër tre akrobatët e preferuar të kryeministrit Rama.
Fillimisht Rama i dha atij (nëpërmjet Ballukut) akses në importin e naftës por aty zoti Yeffet dështoi më sukses dhe u mbeti borxh miliona euro disa partnerëve shqiptarë.
Më pas zoti Yeffet synoi që të kapte tregun e shpërndarjes elektronike (bankomat) të fondeve të pagave e pensioneve, rrugën ia shtroi sërish Balluku nëpërmjet kontrollit që ka mbi Ministrinë e Financave, por dhe këtë punë zoti Yeffet nuk e çoi dot deri në fund. Dukej e komplikuar. Nuk kishte para të shpejta as aty.
Së fundmi zoti Yeffet i ka vënë syrin koncensionarit të Delvina Gas, ku së bashku me Ballukun ai kurdisi arrestimin e paligjshëm të ish-pronarit të këtij koncensionari, Sokol Meqemeja.
Në paketën aksionare të Delvina Gas është dhe një shtetas ukrainas me 15% të aksioneve, ai quhet Sergey Probylov. Ai rezulton në aleancë me Ballukun dhe Yeffet për të zhvatur këtë koncension.
Mirëpo biznesmeni Meqemeja veproi shpejt, ai shiti aksionet mazhoritare te një kompani holandeze me lidhje domethënëse në Washington, ndërsa trekëndëshi Balluku-Yeffet-Probylov rezulton të jetë në vëmendjen e shërbimeve partnere dhe ata janë informuar nga një burim ukrainas në detaje mbi rolin e Ballukut, Yeffet dhe Probylov në këtë histori.
Roli i tyre është i dokumentuar nga partnerët e huaj. Duket se zotit Yeffet i pëlqen të flasë në emër të kryeministrit Rama kur thur plane të paligjshme me ukrainasit. Kjo çështje mund t’i kthehet zotit Rama në një skandal më të madh se vet Balluku.
Akrobati i dytë është Ergys Agasi. Ai ka një ngjashmëri të fortë me zotin Yeffet, pasi të dyve u pëlqejnë autokolonat me automjete luksoze dhe ekspozimi special me truproja nga garda dhe policia. Ndonëse këta dy akrobatë mbështeten nga kryeministri për të mbyllur punët e padukshme, bën çudi fakti se të dy ata bëjnë ç’është e mundur të bien sa më shumë në sy dhe të jenë sa më ekstravagantë.
Si rregull do duhej të mbanin profil të ulët, apo jo?
Filmimet dhe dokumentet që prokuroria speciale i ka sekuestruar Ergys Agasit kanë hapur një spirale që e ka përkeqësuar shumë më tepër situatën e Edi Ramës si kryeministër dhe si kryefamiljar.
Akrobati i tretë është amerikan, pjesë e administratës Trump madje. Ai quhet Richard Grenell. Zoti Grenell përveçse një mbështetës në hije i Belinda Ballukut, ka mbrojtur në mënyrë të hapur dhe projektin korruptiv të anijeve Energjitike të Vlorës, ku rezultoi se ishin të implikuara dhe biznese iraniane të sanksionuara në SHBA (lexo këtu).
Së fundmi zoti Grenell solli në Shqipëri vajzën e Presidentit Trump, Ivankën, ndërsa bashkëshorti i saj Jared Kushner ka interesa në projekte turistike në gjirin e Vlorës.
Mirëpo shërbimet që zoti Grenell po i bën Ramës, duket se justifikojnë plotësisht leverdinë e tij personale, por ato mund të jenë duke ekspozuar në skandal ndërkombëtar të bijën e Trump dhe dhëndrin e tij.
Një pjesë e projektit përfshin zonën e Zvërnecit, ku pronar tokash është një personazh shqiptar i lakuar dhe në mediat ndërkombëtare, quhet Artur Shehu.
Shtyrja e mëtejshme e projektit mund të shërbejë në prag të zgjedhjeve “mid-term” në SHBA si një fabul dhe skandal mediatik për kundërshtarët politikë të Trump, sepse kjo fabul lidh të bijën e Trump dhe dhëndrin e tij me një trafikant të dyshuar dhe gangster shqiptar. Do ishte një histori mbreslënëse mediatike në SHBA.
I gjithë ky risk sepse zoti Grenell ka shumë qejf të fitojë favore të shpejta nga Edi Rama por edhe sepse Edi Rama ka një nevojë akute për të patur akrobatin e vet edhe në Washington.
Në përfundim, ndërsa Edi Rama duket se po ecën në një fushë të minuar ku detonimin e kanë bërë Balluku dhe tre akrobatët e tij, i gjendur në një stuhi skandalesh dhe në një presion të fortë së fundmi nga Bashkimi Evropian, ai në mënyrë të pashpjegueshme ka vendosur të mbrojë Ballukun.
Është sekret thuajse i hapur se Edi Ramës i është dhënë garanci se ai nuk do cenohet nga dosja Balluku, e megjithatë Rama nuk po e lëshon atë.
Në këto kushte lind një pyetje logjike:
Çfarë turpi më të madh i di zonja Balluku Edi Ramës, që e bën atë t’i duken si turpe më të vogla të gjitha këto stuhi që ai po kalon sot?
Hashtag.al

