Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se spiunoi për Kinën, arrestohet oficeri në Greqi


Një anëtar i Forcave të Armatosura të Greqisë u arrestua të enjten në mëngjes nën dyshimin se ka rrjedhur informacione të inteligjencës së klasifikuar te “palë të treta”, ndërsa raportimet e fundit sugjerojnë se ai ka përdorur softuer të enkriptuar për të transmetuar të dhëna të ndjeshme drejt Kinës.

Raportet fillestare e përshkruanin marrësin e dyshuar në mënyrë më të përgjithshme si një “superfuqi rivale e Shteteve të Bashkuara”, por burime të mëvonshme kanë specifikuar se bëhet fjalë për Kinën.

Sipas të njëjtave burime, oficeri i arrestuar dyshohet se i përket një njësie të Forcave Ajrore dhe ka shërbyer në një pozicion stafi, ku kishte përgjegjësi për mbikëqyrjen e komunikimeve dhe sistemeve elektronike. Ky rol, sipas hetuesve, i ka siguruar atij akses në informacione shumë të ndjeshme dhe tepër të klasifikuara, që lidhen me operacionet ushtarake dhe lëvizjet si të Greqisë, ashtu edhe të NATO-s.

I dyshuari përshkruhet si një burrë në moshë nga 40 deri në 50 vjeç. Autoritetet nuk kanë bërë publike detaje të tjera identifikuese.

Ushtaraku thuhet se ka qenë nën vëzhgim nga Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës së Greqisë (EYP) për disa muaj përpara arrestimit. Sipas burimeve të afërta me hetimin, ndërhyrja e autoriteteve erdhi pasi u evidentua një përshkallëzim i ndjeshëm i aktivitetit të tij, si edhe grumbullimi i një sasie të konsiderueshme materiali të ndjeshëm. Ende mbetet e paqartë se sa i madh është vëllimi i informacionit që dyshohet se është ndarë përpara se ai të ndalohej.

Burime ushtarake e kanë cilësuar këtë rast si një kërcënim potencialisht serioz për mbrojtjen kombëtare të Greqisë, por edhe për sigurinë e aleancës së NATO-s në tërësi.

Indikacionet e para sugjerojnë gjithashtu se oficeri mund të ketë tentuar të rekrutojë edhe persona të tjerë, ndonëse nuk është ende e qartë nëse ka ekzistuar apo është formuar një rrjet më i gjerë spiun, shkruan Ekathimerini.