Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Meksika arrijnë marrëveshje për furnizimin vjetor me ujë



Shtetet e Bashkuara dhe Meksika kanë arritur një marrëveshje të re që garanton një minimum vjetor të dërgesave të ujit nga Meksika drejt SHBA-së, duke zëvendësuar sistemin e mëparshëm që parashikonte përmbushjen e një kuote brenda një cikli pesëvjeçar, përcjell Euronews.

Sipas marrëveshjes, Meksika do të dërgojë të paktën 350 mijë acre-feet ujë në vit drejt SHBA-së gjatë ciklit pesëvjeçar. Një acre-foot përfaqëson sasinë e ujit të nevojshme për të mbuluar një sipërfaqe prej një acre me thellësi një këmbë. Marrëveshja synon të ndihmojë fermerët amerikanë, veçanërisht në shtetet jugore si Teksasi.

Marrëveshja u arrit pas muajsh negociatash dhe pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 5% ndaj importeve meksikane nëse nuk do të rritej furnizimi me ujë. Ajo përfaqëson një ndryshim nga Traktati i Ujit i vitit 1944, sipas të cilit Meksika ishte e detyruar të dorëzonte 1.75 milionë acre-feet ujë çdo pesë vjet, pa një minimum të garantuar vjetor.

Uashingtoni ka argumentuar se sistemi i mëparshëm lejonte grumbullimin e “borxhit të ujit” në vitet e para të ciklit, duke dëmtuar fermerët në Teksas, edhe pse në fund kuota pesëvjeçare plotësohej. Në këmbim, SHBA-ja ka rënë dakord t’i ofrojë Meksikës më shumë ujë nga burime të tjera përgjatë kufirit perëndimor të përbashkët.

Ministritë e Punëve të Jashtme, Mjedisit dhe Bujqësisë të Meksikës e konfirmuan marrëveshjen, duke theksuar gatishmërinë për të garantuar një minimum vjetor të dakordësuar, pa specifikuar shifrën. Megjithatë, çështja mbetet e ndjeshme në Meksikë, veçanërisht në shtetet veriore që po përballen me thatësirë, ku fermerët kanë paralajmëruar se mungesa e ujit po i detyron disa prej tyre të mos mbjellin kultura.

Marrëveshja pasoi një bisedë telefonike mes presidentit Trump dhe presidentes meksikane Claudia Sheinbaum, e cila kishte deklaruar më herët se Meksika do të ndërmerrte hapa për të shlyer detyrimet ekzistuese të ujit.