Vendosni fjalën kyçe....

Raporti: Italia ndjek politika shtypëse të migracionit dhe shkel të drejtat e njeriut



Italia ka ndjekur një qasje gjithnjë e më shtypëse ndaj kontrollit të imigracionit, duke shkelur standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ky është përfundimi kryesor i raportit më të fundit të organizatës Human Rights Watch (HRW), i publikuar së fundmi.

Sipas raportit, autoritetet italiane kanë zbatuar politika që përfshijnë ndalimin e migrantëve në Shqipëri në pritje të deportimit, si dhe pengimin e operacioneve humanitare të shpëtimit në Detin Mesdhe. HRW thekson se këto praktika rrezikojnë jetën e migrantëve dhe bien ndesh me detyrimet ligjore ndërkombëtare të Italisë.

Organizata kritikon gjithashtu faktin që Italia ka injoruar një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për një zyrtar libian, i dyshuar për krime kundër njerëzimit. Sipas HRW, ky veprim minon përpjekjet globale për drejtësi dhe llogaridhënie.

Raporti ngre shqetësime edhe për të ashtuquajturat “masa të reja të sigurisë” të qeverisë italiane, të cilat, sipas organizatës, rrezikojnë seriozisht lirinë e shprehjes dhe të shoqërimit. Po ashtu, theksohen raste të profilizimit racor nga ana e forcave të policisë dhe shqetësime për dhunën ndaj grave.

Human Rights Watch i bën thirrje qeverisë italiane që të rishikojë politikat e saj të migracionit dhe sigurisë, duke i përshtatur ato me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe duke garantuar respektimin e lirive themelore.