Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria gati Amnistinë Penale – kush përfiton lirinë, ulje të dënimit dhe shpëton nga hetimi


Burra që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë apo u ka mbetur edhe 3 vite burg dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe gra që janë dënuar me 4 vite burg me vendim të formës së prerë deri në fund të vitit të kaluar, me përjashtim të disa kategorive të veprave penale, do të lirohen menjëherë nëse Kuvendi do t’i japë dritën jeshile këtij drafti amnistie penale që qeveria ka përgatitur.

Report Tv ka siguruar ekskluzivisht draftin që do të kalojë nga Këshilli i Ministrave në Kuvend, nga i cili pritet të përfitojnë mbi 10 mijë persona, me 380 të burgosur që pritet të lirohen menjëherë dhe 980 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi.

Amnistia, kush përfiton lirim të menjëhershëm

Lirim të menjëhershëm do të përfitojnë edhe të gjitha gratë që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji do t’u ketë mbetur edhe 4 vite burg për të vuajtur, pavarësisht masës së dënimit, apo burrat që  deri në hyrjen në fuqi të ligjit do të kenë edhe 3 vite të tjera burgim, pavarësisht sa janë dënuar.

Duke përjashtuar të gjithë të dënuarit për një sërë veprash penale, do të lirohen gjithashtu të gjitha gratë që në momentin kur hyn ligji në fuqi kanë mbushur 50 vjeç apo burrat mbi 60-vjeç apo edhe të dënuarit të rinj, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël.

 

LIROHEN MENJËHERË NGA BURGU (me përjashtimet e ligjit)

Burrat e dënuar deri në 3 vite ose më pak

Gratë e dënuara deri në 4 vite ose më pak

Burrat që u ka mbetur deri në 3 vite burg

Gratë që u ka mbetur deri në 4 vite burg

Burrat që janë 60-vjeç ose më shumë

Gratë që janë 50-vjeç ose më shumë

Të gjithë ata që ishin 18-vjeç kur kryen krimin

Ulje e dënimit

Përveç rreth 380 të burgosurve që përfitojnë lirim të menjëhershëm, rreth 1000 të tjerë do të duhet të kënaqen me ulje të dënimit. Në draft është parashikuar ulja e dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit. Por dhe këtu përjashtohen të gjithë personat e dënuar nga GJKKO, të dënuarit me burgim të përjetshëm, ata që i janë shmangur drejtësisë dhe të dënuar për vrasje në rrethana cilësuese, vrasja e funksionarit publik, vrasja e punonjësit të policisë dhe vrasja në familje.

 

Kush nuk përfitonm nga ulja e dënimit

Pushimi i ndjekjes penale

Gati 9000 qytetarë të tjerë pritet të përfitojnë nga amnistia penale përmes shuarjes së hetimit apo gjykimit ndaj tyre. Pra ndaj tyre nuk do të vijojë më hetimi apo gjykimi. Drafti parashikon përjashtimin nga ndjekja penale për të gjitha çështjet në hetim, çështjet e pashqyrtuara si dhe kallëzimet që ndodhen në këto organe, pavarësisht nga data e regjistrimit të tyre, për krimet e bëra deri më 31 dhjetor 2025. Kjo për veprat për të cilat, Kodi Penal dhe Kodi Penal Ushtarak, parashikon dënim deri në 3 vjet burg, me përjashtim të veprave që kanë kriteret ndaluese.

 

Kush përjashtohet nga aministia

Përjashtohen si përfitues të kësaj amnistie penale, përveç uljes me një vit apo një vit e gjysmë të dënimet, të gjithë të dënuarit për vepra të rënda penale, janë plot 19 kategori të tilla, duke filluar nga krimet kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime seksuale, vepra kundër fëmijëve, veprat penale që prekin zgjedhjet e lira, bandat e armatosura dhe organizata kriminale, si dhe veprat e korrupsionit.

 

VEPRA PENALE QË PËRJASHTOHEN NGA AMNISTIA

Krime kundër njerëzimit

Krime kundër jetës

Krime kundër shëndetit

Krime seksuale

Krime kundër lirisë së personit

Krime kundër moralit dhe dinjitetit

Krime kundër fëmijëve, martesës e familjes

Krime kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike

Krime të falsifikimit të dokumenteve

Krime kundër të tokës e të ndërtimeve

Krime kundër mjedisit

Krime kundër pavarësisë e rendit kushtetues

Krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera

Krime me qëllime terroriste

Krime kundër autoritetit të shtetit

Krime kundër drejtësisë

Krime kundër zgjedhjeve

Krimet nga banda të armatosura dhe organizata kriminale

Krime që gjykohen nga GJKKO

Të gjitha të arratisur dhe që i janë shmangur drejtësisë nuk përfitojnë asnjë kategori nga amnistia, duke përfshirë lirimin, uljen e dënimit apo edhe pushimin e ndjekjes penale.

Ministria e Drejtësisë thotë se e bazon këtë ligj ndër të tjera me parimet i humanizmit; arritjen e qëllimit të dënimit; edukimin dhe rehabilitimin dhe mbrojtjen e interesit publik

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Shqiptarja.com