
Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ka deklaruar se “Paketa e Maleve” po shfaq interes të lartë nga bashkitë dhe qytetarët, ndërsa deri më tani janë regjistruar mbi 150 aplikime në zonat ku janë përcaktuar territoret prioritare.
Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, Demo u shpreh se aktualisht 15 bashki kanë përcaktuar zonat prioritare për këtë paketë, ndërsa edhe 4 bashki të tjera pritet t’i shtohen listës në ditët në vijim. Sipas tij, rreth 45-50 bashki janë në proces të përcaktimit të zonave prioritare.
“Paketa e Maleve është instrument shumë i rëndësishëm për bashkitë, kur flasim për zhvillimin e territorit. Kemi rreth 15 bashki që kanë përcaktuar zonat e prioritetit. Në bashkitë ku zonat janë vendosur, numërojmë mbi 150 aplikime. Bashkitë janë në proces duke i marrë në konsideratë. Shkodra ka shumë aplikime për shkak të territorit, por edhe bashkitë e tjera. Ne pretendojmë që brenda 31 dhjetorit 2026 të kemi 1 mijë aplikime të suksesshme në 61 bashkitë. Besoj se është shifër e realizueshme”, theksoi ministri.
Demo sqaroi se ekzistojnë dy kategori kryesore aplikantësh në kuadër të Paketës së Maleve. Kategoria e parë përfshin banorët që kanë përdorur një pronë për më shumë se 10 vite dhe që, nëse komuniteti nuk e kundërshton, mund të investojnë në atë pronë.
Kategoria e dytë lidhet me prona që njihen tradicionalisht nga banorët sipas kufijve të vjetër dhe nuk janë shpërndarë sipas ligjit 7501, ku një palë e tretë, në marrëveshje me pronarin faktik, mund të aplikojë për investim.
“Interesi është i lartë dhe kjo tregon se Paketa e Maleve po shihet si një mundësi reale për zhvillim”, shtoi Demo.
Duke folur për reformën territoriale, ministri theksoi se elementi kyç është procesi gjithëpërfshirës dhe pjesëmarrja e të gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë.
“Ajo çfarë është e rëndësishme është procesi. Koha që kemi përpara është e shkurtër dhe të gjithë aktorët duhet të jenë të përfshirë. Duhet të krijojmë një platformë të shëndetshme ku merren në konsideratë të gjitha qëndrimet”, tha ai.
Demo nënvizoi se reforma territoriale nuk duhet të lidhet me maksimizimin e votës, por me problematikat reale dhe sfidat që ka territori.
“Maksimizimi i votës nuk ka të bëjë detyrimisht me kufijtë e bashkive, pasi për zgjedhjet parlamentare vota llogaritet në nivel qarku. Reforma territoriale duhet të lidhet me sfidat që ka territori, jo me votën”, u shpreh ministri.
Ai shtoi se bashkitë sot administrojnë mbi 1 miliard euro në vit dhe se kjo kërkon struktura lokale më të forta dhe më konkurruese, të afta për të gjeneruar zhvillim ekonomik dhe të ardhura lokale.
Sipas Demo-s, reforma duhet të bazohet në analizë të detajuar të funksioneve aktuale të bashkive dhe në përvojën e dekadave të fundit, me qëllim që njësitë vendore të jenë në gjendje t’u përgjigjen standardeve dhe proceseve integruese që e presin vendin.