Vendosni fjalën kyçe....

Franca miraton buxhetin e vitit 2026 pas muajsh krizë politike



Franca ka miratuar të hënën buxhetin qeveritar për vitin 2026, pas muajsh negociatash të vështira dhe mocionesh mosbesimi ndaj qeverisë minoritare të kryeministrit Sébastien Lecornu, përcjell DW.

“Franca më në fund ka një buxhet”, shkroi Lecornu në platformën X pas miratimit, duke e cilësuar atë si një kompromis parlamentar që synon të frenojë shpenzimet publike dhe që, sipas tij, nuk rrit taksat për familjet dhe bizneset.

Kryeministri i ka mbijetuar disa tentativave për rrëzim nga e majta ekstreme dhe e djathta ekstreme, duke përdorur kompetenca kushtetuese për të anashkaluar një votim të drejtpërdrejtë në parlament. Në dy mocionet e fundit të mosbesimit, vetëm 260 deputetë nga e majta dhe 135 nga e djathta votuan kundër qeverisë, shumë më pak se 289 votat e nevojshme për ta rrëzuar atë në Asamblenë Kombëtare me 577 vende.

Lecornu është kryeministri i katërt i Francës në dy vitet e fundit dhe ka përballuar tetë mocione mosbesimi që nga marrja e detyrës.

Sipas buxhetit të miratuar, deficiti buxhetor parashikohet të ulet në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Dokumenti parashikon rritje të taksave për disa biznese, përfshirë një taksë shtesë mbi fitimet e kompanive të mëdha, nga e cila pritet të mblidhen rreth 7.3 miliardë euro gjatë vitit 2026.

Një tjetër pikë kyçe e buxhetit është rritja e shpenzimeve ushtarake me 6.5 miliardë euro, të cilën kryeministri e ka quajtur “zemra e buxhetit”. Presidenti Emmanuel Macron ka theksuar vazhdimisht nevojën për forcimin e mbrojtjes së Francës përballë kërcënimeve në rritje, përfshirë Rusinë, përhapjen bërthamore, terrorizmin dhe sulmet kibernetike.

Franca ndodhet në një krizë të zgjatur politike që nga zgjedhjet e vitit 2024, kur Macron humbi shumicën parlamentare, duke e bërë miratimin e reformave dhe buxheteve gjithnjë e më të vështirë.