Vendosni fjalën kyçe....

Portreti dymijëvjeçar i mumjes befason me realizmin e tij modern


Një portret funeral që daton nga Egjipti i periudhës romake pritet të dalë në ankand javën e ardhshme, duke tërhequr vëmendje për pamjen jashtëzakonisht bashkëkohore të subjektit mashkullor, me sy depërtues ngjyrë lajthi dhe flokë që sapo kanë filluar të thinjen.

Vepra i përket grupit të njohur si “portretet e mumjeve të Fajumit”, rreth 900 piktura të krijuara mes shekullit të parë dhe të tretë pas Krishtit, të cilat vendoseshin mbi trupat e mumifikuar të të ndjerëve, duke shërbyer si një formë maske funerale.

Sipas shtëpisë së ankandeve Sotheby’s, dhjetëra prej këtyre portreteve u zbuluan nga arkeologët në fund të shekullit XIX në Hawara, një sit arkeologjik në rajonin Fajum të Egjiptit. Edhe pse disa ekzemplarë njiheshin më herët, studimi sistematik i tyre është relativisht i vonë dhe vazhdon ende sot.

Realizëm i jashtëzakonshëm përpara Rilindjes

Ndërsa piktura realiste e portretit shpesh lidhet me mjeshtrit e hershëm të Rilindjes italiane, ky portret është realizuar rreth 1200 vjet më parë, në shekullin e parë pas Krishtit. Në tërësi, portretet e Fajumit përfaqësojnë disa nga shembujt më të hershëm të portretit realist që kanë mbijetuar deri në ditët tona.

E realizuar me teknikën enkaustike — duke përdorur pigment të përzier me dyll blete të nxehtë mbi panel druri — vepra pritet të jetë një nga pikat kulmore të “Masters Week” të Sotheby’s në Nju Jork. Ajo vlerësohet të shitet deri në 350 mijë dollarë, falë nivelit të lartë të mjeshtërisë në pasqyrimin e tipareve fizike dhe emocionale të subjektit, nga rrudhat e holla të lëkurës deri te qëndrimi i tij i sigurt dhe dinjitoz.

Interes në rritje në tregun e artit antik

Sotheby’s ka shitur më shumë se 15 portrete të Fajumit ndër vite, por përfaqësuesit e saj theksojnë se ky është ekzemplari më mbresëlënës që nga viti 2007. Në atë vit, një portret i një djaloshi me flokë kaçurrela u shit për 936 mijë dollarë, mbi trefishin e çmimit fillestar të parashikuar, falë penelatave të lira dhe vështrimit intensiv që i jepnin veprës një ndjesi çuditërisht moderne, shkruan CNN.