Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO rrëzon kërkesën e Erion Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë



Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar sot kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Veliaj ishte paraqitur fizikisht në sallën e gjykatës për shqyrtimin e kërkesës së tij, ndërsa SPAK u përfaqësua nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj Veliajt përfunduan më 10 shtator 2025, ndërsa arrestimi i tij u bë më 10 shkurt 2025. Për gjykim janë dërguar gjithashtu bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, dhe 28 persona të tjerë, si dhe disa shoqëri të përfshira në të njëjtën dosje.

SPAK ka ngritur ndaj Veliajt 13 akuza, duke përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve në burg. Sipas prokurorisë, shumica e akuzave lidhen me korrupsion pasiv në nëntë raste, ku disa kompani dyshohet se kanë ofruar përfitime të paligjshme në formë parash dhe pasurish të paluajtshme, duke marrë më pas leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.