
Prej orës 11:00 të paradites, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas është i bllokuar totalisht, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet. Shkak për situatën e rëndë janë rrëshqitjet masive të gurëve dhe dheut në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, me dhjetëra e qindra metra kub materiale që kanë mbuluar trasenë e rrugës.
Situata paraqitet alarmante, pasi masat shkëmbore kanë bllokuar plotësisht segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke rrezikuar seriozisht sigurinë e drejtuesve. Qindra qytetarë kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare, që lidh Librazhdin me Juglindjen e Shqipërisë.
Në terren ndodhen forca të shtuara të Policisë Rrugore, të cilat monitorojnë situatën dhe përpiqen të menaxhojnë trafikun, por pa një zgjidhje konkrete për shkak të mungesës së mjeteve nga kompanitë që mirëmbajnë këtë segment dhe mungesës së ndërhyrjeve teknike për largimin e masiveve.
Sipas burimeve në terren, kompania që po kryen punimet për zgjerimin e rrugës Librazhd–Dragostunjë–Hotolisht nuk ka ndërmarrë asnjë veprim minimal për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e qarkullimit. Kjo neglizhencë rrezikon paralizimin për shumë orë të aksit, duke shtuar indinjatën e drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës.
Autoritetet bëjnë apel për ndërhyrje urgjente, pasi përveç bllokimit të qarkullimit ekziston një rrezik real për aksidente të rënda, nëse rrëshqitjet vijojnë ose nëse mjetet tentojnë të kalojnë në kushte të pasigurta.
Policia Rrugore e Elbasanit u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që kanë destinacion Korçën ose lëvizje në drejtim të kundërt, të shmangin këtë aks deri në një njoftim të dytë për hapjen e rrugës.