Vendosni fjalën kyçe....

Rindërtimi i Tregut Industrial, tregtarët e Vlorës sërish në protestë, Spiropali premton ndërhyrje te kryetarja e bashkisë


Tregtarët e Tregut Industrial në Vlorë kanë dalë sërish në protestë, pasi mbeten të pakënaqur me vendimin e bashkisë për zhvendosjen e tyre për shkak të projektit të rindërtimit të tregut.

Përpara se të merrte pjesë në një aktivitet të planifikuar, Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka ndaluar dhe është takuar me tregtarët, të cilët po kundërshtojnë alternativat e propozuara nga bashkia për sistemimin e tyre të përkohshëm.

Gjatë bisedës me ta, Spiropali ka deklaruar se nuk ka qenë plotësisht në dijeni të situatës, por ka premtuar se do të komunikojë me kryetaren e bashkisë dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak për t’u njohur më nga afër me shqetësimet e tregtarëve.

“Do të flas me kryetaren dhe me anëtarët e këshillit bashkiak që të njihem më konkretisht me problemin tuaj”, mësohet t’u ketë thënë ministrja tregtarëve.

Prej disa ditësh, tregtarët po protestojnë pranë bashkisë së Vlorës. Fillimisht, ata kërkonin caktimin e një zone alternative ku të vazhdonin aktivitetin, ndërsa tashmë kundërshtojnë edhe propozimin e ri të institucionit vendor.

Një ditë më parë, Bashkia e Vlorës miratoi vendimin për ngritjen e dy tregjeve të përkohshme: tregu i fruta-perimeve në lagjen “24 Maji” dhe tregtimi i mallrave të tjera në zonën industriale të Vlorës, në Çole. Ky vendim është refuzuar nga tregtarët, të cilët kërkojnë që zhvendosja të bëhet në zona pranë qytetit.

Sipas tyre, largimi nga zona urbane do të ndikojë drejtpërdrejt në humbjen e klientelës dhe do t’i çojë drejt vështirësive serioze ekonomike, madje edhe falimentimit.