
Deputeti i PD-së Paloka tha mbrëmjen e sotme se selia blu është pro bashkimit të të gjithë frontit opozitar, ndërsa nuk harroi të shigjetojë ish-deputetin demokrat, tashmë kreun dhe deputetin e Partisë Mundësia Agron Shehaj.
“PD mendoj se ka bërë më shumë se ca i takon partisë më të madhe opozitare të bëjë. Në fakt kjo është fatkeqësia, ndërkohë që ti i kërkon bashkim i shtrin dorën partive të opozitës, këtu ose dikujt i rritet mendja, sepse është ngritur fryma se Rama nuk e ka të gjatë. Ndjehet një lloj fryme se Rama do iki dhe do marrë një post të rëndësishëm jashtë, dhe kjo mbase i nxit këto partitë e vogla që fillojnë të mendojnë për pushtetin”, tha Paloka.
Sipas demokratit nuk duhen ftuar më në tryezat e opozitës ato parti që bëjnë lojën e Ramës.
“Unë jam njeriu që në çdo rast jam përpjekur që dhe të bashkojë PD dhe të bashkojë opozitën. Atë opozitë që vërtet kërkon të rrëzojë Ramën sepse ata që janë pjesë e lojës së Ramës, për ta dëmtuar opozitën, unë nuk e di pse i bëjmë thirrje akoma atyre. Dje qenkan shprehur në media për bashkimin e opozitës, dikush që dje i kërkoi PD të dalë me një kandidat të vetëm dhe ne ja dhamë opozitës këtë mundësi, dolëm me një kandidat jashtë PD. Personi që ja kërkoi PD doli dje me ide të reja. Shehaj ka dalë me variante të reja.” – shtoi Paloka.