
Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder (S&D, Austri), ka përcjellë një mesazh të drejtpërdrejtë për politikën shqiptare, duke theksuar rëndësinë e respektimit të rolit institucional dhe përmirësimit të kulturës politike.
“Si politikan, secili ka mendimin e vet personal dhe politik, vlerësimet dhe idetë e tij. Por është e domosdoshme të përmbushet edhe roli institucional. Unë nuk jam këtu për të paraqitur mendimin tim personal, por në cilësinë e raportuesit të Parlamentit Evropian. Kjo nuk është çështje opinionesh individuale, por një çështje më e gjerë,” u shpreh Schieder.
Ai theksoi se ka ardhur koha që politika shqiptare të avancojë në mënyrën e debatit dhe të përballjes politike. “Nuk duhet të dramatizohet çdo situatë, as të nisë dhuna apo veprime ekstreme, por të zhvillohet një luftë e fortë politike me argumente të forta, aty ku i takon – në skenën politike,” tha ai.
Sipas Schieder, ky standard duhet të vlejë si për qeverinë, ashtu edhe për opozitën. Ai nënvizoi gjithashtu se mbi 90 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar këtë si mesazhin më të fortë dhe më pozitiv që Shqipëria mund t’i përcjellë Evropës.