Vendosni fjalën kyçe....

Berisha përjashton bashkëpunimin me PS për Reformën Territoriale: Çështja Balluku, historia më e turpshme e vendit


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se çdo formë bashkëpunimi me Partinë Socialiste për Reformën Territoriale është e pamundur, duke i mbyllur derën opsionit për një tryezë të përbashkët të hënën, afat i vendosur më herët nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në një deklaratë për mediat, Berisha e lidhi qëndrimin e tij me atë që e cilësoi si mbrojtje politike ndaj korrupsionit dhe bllokim të drejtësisë nga ana e maxhorancës.

“Bllokimi që i bëjnë drejtësisë dhe mbrojtja që i bëjnë vjedhjeve miliardëshe të Ramës dhe Lubisë bëjnë të pamundur çdo formë bashkëpunimi me mandatet e krimit të kësaj maxhorance. Lubi Balluku është historia më e turpshme e një vendi, ku kreu i organizatës kriminale përdor si mburojë atë për të shpëtuar veten e tij”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se, sipas tij, për sa kohë mazhoranca vijon të mbrojë zyrtarë të akuzuar për korrupsion dhe të pengojë drejtësinë, nuk mund të ketë dialog real për reforma të rëndësishme si ajo territoriale.