
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, në një takim të fokusuar mbi procesin e negociatave dhe reformat e thelluara drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Spiropali e cilësoi Schiederin si mbështetës të fortë të zgjerimit të BE-së dhe të integrimit të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e raportit të ardhshëm vjetor për Shqipërinë, që do të konsolidojë perceptimin mbi progresin e bërë dhe do të orientojë hapat e mëtejshëm të negociatave.
Gjatë takimit, u diskutua mbi reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe mbi arritjen e piketave të ndërmjetme (IBAR), të cilat konsiderohen vendimtare për mbylljen e kapitujve të negociatave.
Spiropali theksoi se ky proces pritet të vendosë Shqipërinë në vitin 2026 në një fazë të re, më konkrete dhe të matshme në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Eurodeputeti Schieder po qëndron në Shqipëri në kuadër të një misioni faktmbledhës përpara përgatitjes së draft-raportit të tij vjetor për vendin në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian.
Postimi i plotë i Ministres Spiropali në rrjete sociale
“Prita në një takim sa miqësor aq edhe përmbajtësor, Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, një zë i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Diskutuam mbi rolin e veçantë të Parlamentit Europian në monitorimin e negociatave të anëtarësimit, rëndësinë e raportit të ardhshëm për Shqipërinë në konsolidimin e perceptimit pozitiv mbi progresin e arritur dhe në orientimin e hapave të mëtejshëm të procesit. Bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe për angazhimin e palëkundur e të vazhduar të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së si dhe në përafrimin e vazhdueshëm me vlerat, politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, u ndalëm edhe tek perspektiva e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve, duke e vendosur Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit”