
Policia e Kosovës, të mërkurën, ka sekuestruar sërish armë, municion dhe mjete të tjera ilegale gjatë kontrollit të një shtëpie të braktisur në lagjen Bërxhane, në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, aksioni është realizuar më 28 janar 2026, pas informacioneve të marra nga qytetarët.
Sipas Policisë, janë sekuestruar:
Një karikator të zbrazët për armë të gjata
Një bajonet Shishe plastike e mbushur me saqme
Kapsula për fishek
Sasi e barutit
Një rryp brezi ushtarak
Një minë kundër këmbësorik
Pjesë për mbushje të fishekeve
Detonator për minë
Targa të automjetit të ish-Milicisë
Tre fishek të armës së gjuetisë
Trembëdhjetë (13) fishek të kalibrave të ndryshëm
Dy (2) fishek të kalibrit 12.7 mm
Dy (2) fishek të kalibrit 20 mm
Dy (2) gëzhoja të kalibrit 12.7 mm
Një xhaketë ushtarake dimërore
Një palë doreza ushtarake
Katër këmisha të Policisë së Serbisë
Për shkak se disa nga materialet e gjetura ishin eksplozive, në vendngjarje intervenoi Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive (NJTME), e cila mori sasinë e barutit, fishekët dhe minën me detonator.
Rasti është i nën hetim dhe Prokurori i Shtetit ka udhëzuar hapjen e procedurës për veprën penale: “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Nuk ka persona të arrestuar në lidhje me këtë rast.
Ky është rasti i tretë me radhë brenda pak ditëve që Policia e Kosovës sekuestroi armë në komunat të banuara me shumicë serbe.