Vendosni fjalën kyçe....

Stuhia “Kristin” vret tre persona në Portugali


Stuhia “Kristin” u mori jetën të paktën tre personave dhe la mbi 800,000 banorë të Portugalisë qendrore dhe veriore pa energji elektrike të mërkurën, teksa rrëzoi pemë, dëmtoi shtëpi dhe ndërpreu qarkullimin rrugor e hekurudhor përpara se të zhvendosej drejt brendësisë së Spanjës.

Sipas shërbimeve të urgjencës, një person humbi jetën kur një pemë ra mbi makinën e tij në periferi të Lisbonës, ndërsa dy viktima të tjera u shënuan në rrethin qendror të Leiria-s, një nga zonat më të prekura. Autoritetet e mbrojtjes civile raportuan më shumë se 3,000 incidente të lidhura me motin, të shkaktuara nga rrebeshet e shiut, dëbora dhe erërat e forta që arritën shpejtësinë deri në 150 km/h.

Operatori i rrjetit elektrik, E-Redes, njoftoi se ekipet teknike po punonin për të rikthyer energjinë për rreth gjysmë milioni klientë pasdite, pasi numri i tyre kishte arritur kulmin në 855,000 gjatë orëve të para.

Pas goditjes në Portugali, stuhia u zhvendos drejt lindjes në Spanjë, vend i cili po rimëkëmbet ende nga sistemi i mëparshëm, stuhia “Joseph”. Në qytetin bregdetar të Torremolinos, erërat e forta rrëzuan një palmë të martën, duke vrarë një grua, ndërsa të mërkurën më shumë se 160 rrugë në të gjithë Spanjën u prekën nga dëbora, përfshirë autostradat kryesore që lidhin Madridin me veriperëndimin.

Agjencia kombëtare e motit në Spanjë, AEMET, paralajmëroi se zona të mëdha të vendit do të përballen me erëra shumë të forta, ku disa prej tyre pritet të arrijnë fuqinë e uraganit. Autoritetet lëshuan një alarm të kuq në pjesë të provincës jugore të Almeria-s për shkak të intensitetit të erës. Si pasojë e motit të keq, autoritetet lokale mbyllën parqet dhe pezulluan aktivitetet sportive e edukative në natyrë në disa zona të prekura, shkruan Reuters.