
Asambleja Kombëtare e Francës miratoi të hënën një projektligj që synon ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët nën moshën 15 vjeç, mes shqetësimeve në rritje për bullizmin në internet dhe pasojat në shëndetin mendor të të miturve.
Legjislacioni parashikon jo vetëm ndalimin e aksesit në rrjetet sociale, por edhe në funksionalitetet e tyre të integruara brenda platformave më të gjera, duke reflektuar ankthin gjithnjë e më të madh publik mbi ndikimin e këtyre platformave tek fëmijët dhe adoleshentët.
Projektligji u miratua me 116 vota pro dhe 23 kundër dhe tani do të kalojë në Senat, përpara se t’i rikthehet Asamblesë Kombëtare për votimin përfundimtar.
Presidenti Emmanuel Macron i ka cilësuar rrjetet sociale si një faktor nxitës të dhunës mes të rinjve dhe ka shprehur dëshirën që Franca të ndjekë shembullin e Australisë, e cila në dhjetor hyri në histori si vendi i parë që ndaloi rrjetet sociale për moshat nën 16 vjeç, përfshirë platforma si Facebook, Snapchat, TikTok dhe YouTube. Macron synon që ndalimi francez të hyjë në fuqi në kohë për fillimin e vitit të ardhshëm akademik në shtator.
Duke prezantuar projektligjin në parlament, ligjvënësja e qendrës Laure Miller tha se me këtë ligj po vendoset një kufi i qartë shoqëror dhe po përcillet mesazhi se rrjetet sociale nuk janë të padëmshme. Ajo theksoi se fëmijët po lexojnë dhe po flenë më pak, ndërsa krahasohen gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin, duke e përshkruar këtë nismë si një betejë për mendjet e lira.
Edhe Parlamenti Evropian ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian të vendosë moshë minimale për qasjen në rrjetet sociale, megjithëse vendimmarrja konkrete u lihet shteteve anëtare.

Në Francë ekziston një mbështetje e gjerë politike dhe publike për kufizimin e aksesit të të miturve në rrjetet sociale. Ligjvënësi i ekstremit të djathtë Thierry Perez e përshkroi projektligjin si një përgjigje ndaj një “urgjence shëndetësore”, duke pyetur se, ndonëse rrjetet sociale u kanë dhënë të gjithëve mundësinë për t’u shprehur, cila është kostoja për fëmijët.
Ndalimi do t’u kërkonte platformave të bllokojnë qasjen për adoleshentët e rinj përmes mekanizmave të verifikimit të moshës, në përputhje me ligjin e Bashkimit Evropian, edhe pse autoritetet pranojnë se zbatimi i tij mund të jetë i vështirë. Qeveria australiane ka pranuar më herët se ndalimi i saj ishte sfidues për t’u zbatuar, pasi shumë fëmijë vazhduan të hynin në rrjete sociale duke u mburrur për aftësinë e tyre për të anashkaluar kufizimet.
Legjislacioni francez zgjeron gjithashtu ndalimin ekzistues të përdorimit të telefonave inteligjentë në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta, duke e shtrirë edhe në shkollat e mesme të larta.
Një sondazh i Harris Interactive në vitin 2024 tregoi se 73% e publikut francez mbështet ndalimin e qasjes në rrjetet sociale për moshat nën 15 vjeç. Ndërkohë, adoleshentët në rrugët e Parisit shfaqën mendime të ndara: disa pranuan rreziqet që lidhen me rrjetet sociale, ndërsa të tjerë e konsideruan një ndalim të tillë si të tepruar, shkruan Reuters.