
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, deputeti Eno Bozdo ka lëshuar akuza të ashpra ndaj qeverisë, duke theksuar se prioriteti i vetëm i ekzekutivit nuk janë qytetarët, por korrupsioni dhe vjedhja e taksave publike. Mes kritikave të forta, Bozdo u shpreh se administrimi i parave të shqiptarëve po bëhet në dëm të interesit publik, duke krijuar një sistem ku çdo tender apo ligj shërben si hapësirë për abuzime financiare.
Gjatë fjalës së tij, ai renditi disa nga projektet kryesore infrastrukturore, të cilat sipas tij kanë kushtuar miliona euro, por kanë rezultuar pa asnjë standard teknik dhe janë kthyer në rrezik serioz për jetën e qytetarëve. Deputeti u ndal veçanërisht te Tuneli i Llogarasë, ku sipas tij 50 milionë euro janë përlarë me një firmë të vetme, si dhe te rruga Qukës – Qafë Plloçë. Për këtë të fundit, Bozdo deklaroi se 260 milionë euro kanë përfunduar në një rrugë të bllokuar nga rrëshqitjet, jashtë çdo parametri të sigurisë.
Sipas Bozdos, kjo situatë dëshmon se në qeverisjen aktuale, atje ku ka një tender ka automatikisht një hajdutëri dhe çdo inspektoriat është shndërruar në një “bandë gjobvënëse”. Ai akuzoi mazhorancën se po përdor taksat e shqiptarëve kundër vetë interesave të tyre, duke lënë vend vetëm për evazion fiskal dhe pasurim të paligjshëm përmes mekanizmave shtetërorë.
Në mbyllje të fjalës, deputeti demokrat bëri thirrje për një reagim të prerë për t’i shkurtuar jetën atij që ai e quajti “regjim”. Bozdo theksoi se përballë kësaj situate ekzistojnë vetëm dy rrugë: ose pranimi i këtij realiteti, ose ngritja në këmbë e të gjithë shqiptarëve. Ai siguroi se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas në betejën e saj kundër korrupsionit qeveritar.