
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë sot një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, duke theksuar rëndësinë e impenjimit dhe përgjegjësisë së përbashkët për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor dhe të drejtave universale për të jetuar në paqe.
Kreu i Shtetit nënvizoi se kjo ditë duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive kundër urrejtjes etnike, racore, fetare dhe antisemitizmit, duke rikujtuar pasojat shkatërruese që këto fenomene kanë sjellë për njerëzimin.
“Dita e Kujtesës duhet të shërbejë si një thirrje e ndërgjegjes kolektive për të mbrojtur me humanizëm dhe përgjegjësi të drejtën e të gjithëve për të jetuar me dinjitet dhe në paqe”, u shpreh Presidenti Begaj.
Në mesazhin e tij, Presidenti vlerësoi gjithashtu tolerancën, humanizmin dhe shpirtin solidar të shqiptarëve, të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë, duke i shpëtuar nga shfarosja naziste.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit, përkujtojmë jetët e pafajshme të humbura në një prej makinerive më të tmerrshme kriminale kundër njerëzimit”, shkroi Begaj në rrjetin social X, duke theksuar se kjo trashëgimi humanizmi duhet të shërbejë si frymëzim për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.