
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, përsëriti mbrëmjne e sotme se ish-deputeti Ervin Salianji nuk është më pjesë e strukturave të partisë, pavarësisht takimeve të njëpasnjëshme që ka zhvilluar në disa qytete të vendit.
Noka u shpreh se Salianji nuk ka më asnjë rol në qarqet drejtuese apo politike të Partisë Demokratike. “Zoti Salianji nuk ekziston në këto qarqe që flasim ne. Ai është ish-deputet, ish-aktivist i PD-së, në punë të vetë,” deklaroi ai.
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Salianji është i vetëpërjashtuar nga partia dhe nuk ka asnjë lidhje me të.
“Ai mund të jetë në partinë tuaj, por jo në PD. E kemi deklaruar: ai është i vetëpërjashtuar nga PD, pasi ka bashkëpunuar me krimin,” shtoi Noka.
Ai theksoi gjithashtu se Partia Demokratike nuk dëshiron të përfshihet në debate që i konsideron të parëndësishme.
“Mos na ngatërroni me çështje të vogla,” përfundoi Noka, duke nënvizuar se fokusi i opozitës mbetet tek çështjet madhore që shqetësojnë qytetarët dhe vendin.