
Tregtarët e tregut industrial në Vlorë protestuan mbrëmjen e sotme para Bashkisë kundër zhvendosjes nga vendi ku shesin, lidhur me një projekt që parashikon ndërtimin e një tregu të ri.
Ata thonë se nuk kanë asnjë alternativë se ku mund të zhvendosen për të vijuar punën, ndërsa theksojnë se njoftimi është bërë pa asnjë këshillim me ta.
“Na thanë lërni bukën e fëmijëve dhe largohuni. Nuk e dimë se ku do të shkojmë”, tha një tregtar, raporton Report Tv.
“Ne na thanë për 3 ditë duhet që të largoheni. Kjo është thjeshtë për të na larguar, sepse nuk do të shkojmë më atje. Ne kërkojmë një vend që të shkojmë që të punojmë”, tha një tjetër.
Sipas tyre, një vendim i tillë i marrë në mënyrë të njëanshme rrezikon drejtpërdrejt jetesën e dhjetëra familjeve që sigurojnë të ardhurat nga ky aktivitet.