Vendosni fjalën kyçe....

India e BE-ja arrijnë marrëveshjen kyçe


India synon të ulë tarifat për makinat e importuara nga Bashkimi Evropian në 40%, nga niveli aktual shumë i lartë prej 110%. Ky hap përfaqëson hapjen më të madhe deri tani të tregut gjigant indian, në një kohë kur të dyja palët po i afrohen një marrëveshjeje të tregtisë së lirë që pritet të zyrtarizohet që këtë të martë.

Qeveria e Kryeministrit Narendra Modi ka pranuar të ulë menjëherë taksën për një numër të kufizuar automjetesh nga blloku me 27 vende, me një çmim importi mbi 15,000 euro, sipas dy burimeve të cituara nga Reuters.

Kjo tarifë parashikohet të ulet më tej gradualisht deri në 10%, duke e bërë më të lehtë hyrjen në tregun indian për prodhues evropianë si Volkswagen, Mercedes-Benz dhe BMW.

India dhe BE-ja pritet të njoftojnë të martën përmbylljen e negociatave të gjata. Kjo marrëveshje mund të zgjerojë tregtinë dypalëshe dhe të rrisë eksportet indiane të tekstileve dhe bizhuterive, të cilat janë prekur nga tarifat amerikane prej 50% që nga fundi i gushtit.

India është tregu i tretë më i madh në botë për automjetet, por industria e saj vendase ka qenë ndër më të mbrojturat. Aktualisht, Nju Delhi aplikon tarifa nga 70% deri në 110% për makinat e importuara, nivele këto që janë kritikuar shpesh nga drejtues të industrisë, përfshirë edhe CEO-n e Tesla-s, Elon Musk.

Detajet e marrëveshjes dhe përjashtimet

Kuotat: Nju Delhi ka propozuar uljen e detyrimeve doganore në 40% për rreth 200,000 automjete me djegie të brendshme në vit.

Automjetet elektrike (EV): Makinat elektrike me bateri do të përjashtohen nga ulja e tarifave për pesë vitet e para, me qëllim mbrojtjen e investimeve të prodhuesve vendas si Mahindra & Mahindra dhe Tata Motors në këtë sektor të ri. Pas pesë vitesh, edhe automjetet elektrike do të përfitojnë nga ulje të ngjashme tarifore, shkruan Reuters.

Ndikimi në treg

Reduktimi i taksave do të jetë një nxitje e rëndësishme për grupe si Volkswagen, Renault dhe Stellantis, si edhe për markat luksoze Mercedes-Benz dhe BMW, të cilat prodhojnë pjesërisht në Indi, por kanë hasur vështirësi në zgjerim për shkak të tarifave të larta.

Aktualisht, prodhuesit evropianë zotërojnë më pak se 4% të tregut indian, i cili arrin në rreth 4.4 milionë njësi në vit. Ky treg dominohet nga kompania japoneze Suzuki dhe markat vendase Mahindra dhe Tata, të cilat së bashku kontrollojnë rreth dy të tretat e tij.

Me parashikimin që tregu indian të zgjerohet në 6 milionë njësi në vit deri në vitin 2030, kompanitë po pozicionohen për investime të reja. Renault po rikthehet me një strategji të re, ndërsa Grupi Volkswagen po përmbyll fazën e radhës së investimeve përmes markës së tij Skoda.