
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se të shtunën është koha që të flasë anëtarësia e LDK-së, duke theksuar se partia nuk i frikësohet as debatit, as votës dhe as garës së brendshme.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku nënvizoi se LDK ka marrë gjithmonë vendimet në Kuvend, mes anëtarëve të saj, hapur dhe me debat, duke respektuar parimin e shumicës.
“Vendimet e saj i ka marrë gjithmonë në Kuvend, mes njerëzve të vet, hapur, me debat dhe pa frikë; dhe në fund, me shumicë. Edhe në kohë shumë më të vështira se kjo. Kështu do të veprojmë sërish, këtë të shtunë”, shkroi ai.
Abdixhiku theksoi se mbledhja e së shtunës do të shërbejë për diskutim dhe vendimmarrje mbi të gjitha çështjet e partisë, me vullnet dhe votë të lirë.
“Këtë të shtunë mblidhemi për të diskutuar dhe për të vendosur mbi të gjitha çështjet tona, ashtu siç i takon një partie demokratike që respekton anëtarësinë e saj dhe asnjë interes tjetër veç saj. LDK nuk di ndryshe. Koha tani të flasë anëtarësia jonë”, u shpreh ai.
Në fund, kreu i LDK-së tha se nga ky proces partia do të dalë më e fortë dhe më e organizuar, e përqendruar në të ardhmen e saj dhe të Kosovës.
“Sot kam dërguar ftesën zyrtare për delegatët e LDK-së. Të shtunën takohemi për të vendosur drejtimin e shtëpisë sonë”, përfundoi Abdixhiku.