
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka cilësuar si “më qesharaku në botë” takimin mes eurodeputetëve dhe përfaqësuesve të opozitës serbe gjatë vizitës së tyre në Beograd nga 22 deri më 24 janar, përcjell REL.
Në një intervistë për TV Prva, Vuçiç tha se i vjen keq që qytetarët serbë u fokusuan kaq shumë tek vizita e delegacionit të Parlamentit Evropian dhe i quajti eurodeputetët “krejtësisht të parëndësishëm”. Ai shtoi se opozita i tregon atyre vetëm “gjërat më të këqija për Serbinë” dhe e konsideroi si “pacipë” kërkesën e tyre për sanksione ndaj anëtarëve të partisë në pushtet, Partisë Progresive Serbe (SNS).
Delegacioni evropian, i udhëhequr nga eurodeputetja portugeze Marta Temido, pati takime me përfaqësues të Qeverisë, opozitës, medias, shoqërisë civile dhe komunitetit akademik. Përfaqësuesit e opozitës kërkuan që fondet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor të ridrejtoheshin te organizatat që kontribuojnë në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, si dhe sanksione të personalizuara për zyrtarë të pushtetit.
Takimi u zhvillua tre muaj pasi Parlamenti Evropian diskutoi një rezolutë mbi polarizimin politik dhe rritjen e represionit në Serbi, një vit pas shembjes tragjike të çatisë në Novi Sad që la 16 të vdekur. Eurodeputetët do t’i paraqesin gjetjet e tyre në një raport pranë një komisioni të Parlamentit Evropian.