
Pamjet e sigurisë nga një lagje në periferi të qytetit portual Guayaquil në Ekuador tregojnë se si një ndeshje e zakonshme futbolli mbrëmjeje shndërrohet brenda pak minutash në një skenë masakre, kur tre burra të maskuar, të veshur si policë, hyjnë në fushë dhe hapin sulm ndaj një prej lojtarëve.
Duke kuptuar rrezikun, lojtarët shtrihen menjëherë përtokë për të shmangur vëmendjen, ndërsa autorët identifikojnë shpejt objektivin e tyre, një burrë i veshur me të zeza në qendër të fushës, të cilin e rrëzojnë dhe e godasin brutalisht.
Pas vetëm pesë minutash, sulmuesit largohen me vrap, duke lënë trupin e pajetë të viktimës në fushë, ndërsa më pas zbulohen edhe dy trupa të tjerë në zonën përreth. Sipas gazetës El Universo, para sulmit autorët kishin neutralizuar rojet e sigurisë së lagjes, duke i rrahur, lidhur dhe duke u marrë armët.
Një nga viktimat u identifikua si Stalin Rolando Olivero Vargas, i njohur si “Marino”, një 40-vjeçar me precedentë penalë, i dënuar më parë për vjedhje dhe i dyshuar si drejtues i bandës kriminale “Los Lagartos”, e cila kontrollon disa zona të jugut të Guayaquil-it.
Ministri i Brendshëm, John Reimburg, tha se Vargas mund të jetë shënjestruar nga një bandë rivale, duke shtuar se dy viktimat e tjera, Jefferson Xavier Salon Olivero, 33 vjeç, dhe Richard Josue Mina Vergara, 29 vjeç, kishin gjithashtu histori të gjata kriminale, përfshirë trafik droge, vrasje dhe vjedhje, shkruan Herald Sun.
Sipas autoriteteve, Vargas kishte menduar së fundmi të largohej nga “Los Lagartos” për t’iu bashkuar bandës rivale “Los Lobos”, një lëvizje që dyshohet se mund t’i ketë vulosur fatin, ndërsa policia e kishte nën vëzhgim javët para vrasjes dhe kishte kryer kontrolle për ta lokalizuar. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim dhe hetimet për ngjarjen vijojnë.