
Ambasada Gjermane ka zbardhur detaje nga vizita e Ministrit të Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme Federale, Gunther Krichbaum, i cili zhvilloi sot një sërë takimesh politike në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasada thekson se Shqipëria ndodhet në një moment vendimtar në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe se është thelbësore që vendi të çojë përpara me vendosmëri luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sipas njoftimit zyrtar, Krichbaum u takua me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin Adea Pirdeni, zv.Ministren e Jashtme Megi Fino, bashkëkryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian Taulant Balla dhe Jorida Tabaku, Kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, si dhe me drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme SPAK, Klodian Braho.
Në fokus të bisedimeve ishte procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, forcimi i shtetit të së drejtës, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në përfundim të takimeve, Ministri i Shtetit për Evropën u shpreh se “për shkak se ne duam ta shohim Shqipërinë në Bashkimin Evropian, jemi njëkohësisht mik, mbështetës dhe kritik në rrugën e saj drejt BE-së”.
Ai theksoi se Gjermania sheh potencial të madh dhe përpjekje reformuese nga Shqipëria, por njëkohësisht edhe sfida të rëndësishme kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare në procesin e anëtarësimit.
Krichbaum nënvizoi se ishte e rëndësishme zhvillimi i bisedave të drejtpërdrejta me qeverinë shqiptare, parlamentin dhe institucionet e drejtësisë, duke shtuar se “Shqipëria gjendet aktualisht në një moment vendimtar: rruga e nisur drejt BE-së duhet të çohet përpara me vendosmëri, duke zbatuar reformat, veçanërisht në fushën e shtetit të së drejtës, si dhe një luftë të palëkundur kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.
Sipas tij, për realizimin e këtij qëllimi kërkohet vijimi i guximshëm i reformave dhe përfshirja konstruktive e të gjithë aktorëve dhe institucioneve, në përputhje me përgjegjësitë e tyre kushtetuese.