Vendosni fjalën kyçe....

Digjitalizimi i shërbimeve vendore, KI: Transformimi digjital i shërbimeve mbetet kompleks



Digjitalizimi i shërbimeve publike është pjesë e axhendës së vendorëve në përgjigje të një rruge të prirë më herët nga institucionet qendrore.

Sekretariati i Këshillit të Investimeve në këtë kontekst ka analizuar situatën aktuale me problemet por edhe sfidat që shfaqen para duke sugjeruar kështu edhe një sërë rekomandimesh që mund ta bëjnë këtë proces më të lehtë për të gjithë palët.

Sipas Sekretariatit transformimi digjital të shërbimeve administrative mbetet kompleks. Në nivel vendor, panorama kombëtare paraqitet e fragmentuar (kapacitete asimetrike/të limituara në burime njerëzore, teknologji, infrastrukturë dhe institucione).

Dokumenti verën se sektori privat si një partner i rëndësishëm në këtë proces nuk përfshihet në dokumentet strategjikë teksa biznesi mbetet rezervuar për përfitimet reale.

Shërbimet online kanë një eksperiencë pozitive për biznesin siç është platforma për lejet e ndërtimit por bashkitë hasin probleme sa i takon mirëmbajtjes apo konfuzionit të përgjegjësive që sjell kjo platformë. Sekretariati vërën se në nivel kombëtar, ofrimi i shërbimeve të digjitalizuara nga njësitë e qeverisjes vendore mbetet jo i barabartë dhe në disa zona mjaft i kufizuar.

Duke pasur parasysh këtë panoramë KI ka bërë të paktën 7 rekomandime sa i takon qasjes së pushtetit vendor drejt dixhitalizimit të shërbimeve të tij publike.

Rekomandim 1: Organet drejtuese të Qeverisjes Vendore, përtej angazhimit të qëndrueshëm politik dhe drejtimit të reformave për digjitalizimin, të hartojnë objektiva të qartë dhe tregues performance që konsiderojnë harmonizimin e interesave midis të gjithë aktoreve përfshirë edhe biznesin si dhe riformulimi i treguesve të performancës së shërbimeve ndaj biznesit dhe monitorimi i tyre, të jenë pjesë e planifikimit dhe raportimit periodik

Rekomandim 2: Mundësimi i një tranzicioni gradual dhe të matur nga zyrat fizike drejt digjitalizimit të shërbimeve vendore, i mirë koordinuar brenda bashkive (p.sh.task force me fokus digjitalizimin me përfaqësues nga seksione të ndryshme) me angazhimet buxhetore dhe upskilling do të rriste besimin dhe optimizmin e pritshmërive për cilësi të shërbimeve digjitale.

Rekomandim 3: Investimet publike lokale në infrastrukturë dhe sisteme digjitale duhet të jenë të harmonizuara strategjikisht me platformat dhe iniciativat kombëtare, për të garantuar një koordinim institucional të sigurt, të besueshëm dhe të qëndrueshëm, veçanërisht në aspektin e shkëmbimit të të dhënave midis administratës qendrore tatimore dhe njësive të qeverisjes vendore.

Rekomandim 4: Pushteti vendor duhet të sigurojë që procesi i digjitalizimit të zhvillohet në përputhje me një kornizë të qartë rregullatore që respekton parimet themelore etike dhe ligjore.

Rekomandim 5: Ekziston një nevojë e qartë për përmirësimin e kuadrit ligjor që rregullon taksat dhe tarifat vendore. Siç është evidentuar në mënyrë të përsëritur nga Këshilli i Investimeve, sistemi aktual është i vjetëruar dhe nuk pasqyron në mënyrë adekuate zhvillimet socio-ekonomike dhe reformat politike të viteve të fundit.

Rekomandim 6: Dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit të luajnë një rol aktiv në lehtësimin e tranzicionit digjital. Në partneritet me autoritetet lokale, ato duhet të investojnë së bashku në përpjekjet për ngritjen e kapaciteteve të aktorëve. Këto përpjekje duhet të synojnë rritjen e pjesëmarrjes në hartimin dhe zbatimin e reformave lokale – veçanërisht ato që synojnë thjeshtimin e detyrimeve tatimore dhe uljen e barrierave burokratike.

Rekomandim 7: Hartimi dhe zbatimi i një metodologjie të qëndrueshme dhe transparente për vlerësimin e pasurive të paluajtshme nëpërmjet një procesi të gjerë konsultues më grupet e interesit. Rekomandohet hartimi i një metodologjie të qëndrueshme dhe të standardizuar për vlerësimin e tregut dhe çmimet e referencës, në bashkëpunim me komunitetin e biznesit dhe organizatat profesionale./Monitor