
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka zhvilluar një takim me Ministrin gjerman për Europën, Günther Krischbaum, ku në fokus të bisedës kanë qenë procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe standardet demokratike në vend.
Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi bën të ditur se gjatë takimit ka theksuar se integrimi europian nuk duhet të shërbejë si mbulesë për keqqeverisjen, por si një proces real që synon zbatimin e standardeve europiane në interes të qytetarëve shqiptarë.
“Integrimi Europian i Shqipërisë duhet të jetë një proces që synon implementimin e standardeve europiane në vend, dhe jo të përdoret si justifikim për të mbuluar keqqeverisjen”, shkruan Bardhi, duke nënvizuar se opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit të bazuar në standarde dhe meritë.
Sipas tij, mbetet jetike për Shqipërinë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në dobi të qytetarëve, si dhe forcimi i shtetit të së drejtës.
“Në këtë proces, mbetet jetike për Shqipërinë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në dobi të qytetarëve, lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar”, thekson Bardhi.
Ai shton se një element thelbësor për integrimin europian është lejimi i organeve të drejtësisë që të ushtrojnë funksionet e tyre me pavarësi dhe integritet, pa presion politik, si dhe funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë.
“Lejimi i organeve të drejtësisë të bëjnë me integritet dhe pavarësi punën e tyre në përputhje me parimet e shtetit ligjor, si dhe funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë, janë kushte të panegociueshme për rrugën europiane të vendit”, përfundon Bardhi.