Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky njofton takim trepalësh me Rusinë dhe SHBA-në në Emiratet e Bashkuara Arabe


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka njoftuar se nga dita e nesërme do të mbahet një takim trepalësh mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, i cili do të zhvillohet për dy ditë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Duke folur nga Davosi, Zelensky bëri të ditur se ekipi amerikan do të udhëtojë sot drejt Moskës, pasi më herët kishte pritur përfundimin e takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump.

Sipas tij, delegacioni ukrainas fillimisht do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e SHBA-së, përpara se të nisë formati trepalësh i bisedimeve, përcjell BBC.

Presidenti ukrainas theksoi se përparimi drejt paqes kërkon gatishmëri për kompromise nga të gjitha palët.

 “Rusia duhet të jetë e gatshme për kompromise. Të gjithë duhet të jenë gati, jo vetëm Ukraina. Është më mirë të ketë dialog, sesa të mos ketë fare,” u shpreh ai, duke shtuar me shpresë se lufta mund të marrë fund.

Zelensky e cilësoi si “shumë të rëndësishëm” dhe pozitiv takimin e zhvilluar me presidentin Trump, duke e falënderuar atë për kohën e kushtuar.

Ai nënvizoi se për arritjen e paqes, Ukraina ka nevojë për një angazhim shumë të fortë të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Europa, sipas tij, mund të ketë ndikim të ngjashëm, por i nevojitet më shumë kohë.

“Jemi në kilometrin e fundit, i cili është shumë i vështirë,” tha Zelensky, duke shtuar se në çdo dialog me liderë botërorë detyra e tij kryesore është të mbrojë interesat e Ukrainës.

Ai bëri të ditur gjithashtu se dokumentet që synojnë përfundimin e luftës janë “pothuajse gati”, pas takimit me Trump, dhe se Ukraina po punon me “ndershmëri dhe vendosmëri”, ndërsa Rusia duhet të tregojë gatishmëri për t’i dhënë fund agresionit.

Në fjalën e tij, Zelensky theksoi se Europa përballet me sfida serioze ndaj mënyrës së saj të jetesës dhe se kontinenti ka nevojë për një Ukrainë të pavarur dhe të fortë, e cila një ditë mund të ndihmojë edhe të tjerët.

“Ne jemi gati të jemi pjesë e një Europe që ka vërtet peshë,” u shpreh ai.

Presidenti ukrainas e mbylli fjalimin e tij me thirrjen tradicionale “Slava Ukraini” – “Lavdi Ukrainës”.