
Një bandë grabitësish të armatosur me hanxharw bastisën një dyqan orësh “Rolex” në qendër të Londrës dhe u larguan me sende me vlerë, njoftoi policia.
Ngjarja ndodhi të martën në butikun “Bucherer Rolex” në Knightsbridge, pranë kompleksit One Hyde Park.
Sipas një deklarate të lëshuar nga Policia Metropolitane të mërkurën, gjashtë të dyshuar me helmeta motoçikletash hynë në dyqan, ku disa prej tyre kërcënuan stafin dhe qytetarët me hanxharë përpara se të thyenin vitrinat dhe të merrnin disa orë në një sulm që zgjati rreth tre minuta. Nuk u raportua për të lënduar dhe deri më tani nuk është bërë asnjë arrestim.
Besohet se banda përdori një motoçikletë për të hyrë me forcë në dyqan përpara se të largoheshin me katër motoçikleta të tjera të parkuara jashtë, duke e lënë mjetin e vjedhur brenda dyqanit, siç treguan edhe pamjet që qarkulluan nga vendi i ngjarjes, shkruan Rt.
Një roje sigurie në një dyqan tjetër luksi i tha mediave lokale se u dëgjua një “përplasje e madhe si aksident rrugor, pastaj britma dhe njerëz që vraponin. Ishte kaos,” tha ai.
Inspektori Scott Mather, nga njësia speciale e policisë “Flying Squad”, e cila heton grabitjet e rënda, tha se sulmi kishte shkaktuar një “shqetësim” të kuptueshëm. Hetimet vazhdojnë dhe të dyshuarit mbeten në kërkim.