Vendosni fjalën kyçe....

Trump tallet me syzet e Macronit në Davos


Presidenti amerikan Donald Trump ka zgjedhur sërish Forumin Ekonomik Botëror në Davos për të ironizuar presidentin francez Emmanuel Macron, duke rikthyer një histori të preferuar të tij dhe duke e shoqëruar atë me batuta që shkaktuan të qeshura në sallë.

Gjatë fjalimit përpara një audience europiane, Trump përsëriti pretendimin se kishte arritur ta bindte Macronin të ngushtonte hendekun e çmimeve të barnave mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës, pas kërcënimit për vendosjen e tarifave ndaj produkteve franceze, sipas AP.

Sipas versionit të Trump, Macron fillimisht kishte refuzuar të rritte çmimet e barnave në Francë, por kishte ndryshuar qëndrim pasi Uashingtoni kishte kërcënuar me tarifa, përfshirë ato ndaj verërave dhe shampanjave franceze.

Krahas kësaj historie, Trump nuk i kurseu as batutat personale ndaj presidentit francez.

Ai u tall me syzet e diellit që Macron ka mbajtur ditët e fundit, duke shkaktuar reagime dhe të qeshura nga publiku.

“E pashë dje me ato syze të bukura. Çfarë dreqin ndodhi?”, tha Trump, mes të qeshurave më të forta deri në atë moment.

Macron ka shpjeguar më herët se mbajtja e syzeve brenda ambienteve lidhet me një problem “krejtësisht të padëmshëm” me sytë, për të cilin ka bërë edhe shaka publike.

Komentet e Trump ndaj Macronit vijnë në një moment tensionesh më të gjera transatlantike dhe janë pjesë e stilit të tij të drejtpërdrejtë dhe provokues gjatë daljeve publike në Davos.