
Një tren periferik ka dalë nga shinat të martën pranë qytetit të Barcelonës, pasi një mur mbajtës u shemb mbi binarë si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, duke shkaktuar vdekjen e drejtuesit të trenit dhe plagosjen e dhjetëra personave, përcjell Reuters.
Sipas autoriteteve të shërbimit zjarrfikës të Katalonjës, në aksident u lënduan gjithsej 37 pasagjerë, katër prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa drejtuesi i trenit humbi jetën. Të gjithë pasagjerët janë evakuuar nga treni.
Ngjarja ndodhi në zonën Gelida, në periferi të Barcelonës. Në vendngjarje u dërguan rreth 20 autoambulanca dhe 38 njësi zjarrfikëse, bënë me dije shërbimet e emergjencës.
Aksidenti vjen vetëm dy ditë pas një tjetër tragjedie hekurudhore në provincën jugore të Kordobës, ku një përplasje dhe dalje nga shinat e një treni me shpejtësi të lartë shkaktoi vdekjen e 42 personave.
Autoritetet kanë bërë të ditur se linjat periferike rreth Barcelonës vuajnë prej vitesh nga mungesa e investimeve dhe incidente të shpeshta. Ndërkohë, në një tjetër incident të ndarë të martën në mbrëmje, qarkullimi hekurudhor midis Blanes dhe Maçanet-Massanes, në jug të Gironës, u ndërpre përkohësisht për shkak të daljes nga shinat të një boshti treni, sipas operatorit hekurudhor spanjoll Adif.
Hetimet për shkaqet e plota të aksidentit pranë Barcelonës janë në vijim.